Varlam Shallamov

TREGIMET E KOLLIMËS

Kushtuar Gencit

 

 

LOJA ME BORXH

Po luanin kumar me letra tek kujdestari i kuajve Naumov. Rojet që kishin dezhurnin nuk hynin kurrë në barakën e kujdestarëve të kuajve, duke menduar me të drejtë se detyra e tyre kryesore ishte të vëzhgonin të burgosurit e dënuar në bazë të nenit pesëdhjetë e tetë. Pastaj, si rregull, kundërrevolucionarëve nuk ua besonin kuajt. Ç'është e vërteta, komandantët me shpirt praktik ankoheshin, sepse humbisnin në këtë menyrë punëtorët më të mirë dhe më të kujdesshëm.Por në këtë drejtim instruksioni ishte i rreptë dhe i prerë. Me një fjalë, tek kujdestarët e kuajve ndjeheshe më i sigurt se kudo, prandaj dhe çdo natë atje mblidheshin vjedhësit për të zhvilluar duelet e tyre me letra bixhozi.

Në cepin e djathtë të barakës, në shtretërit e poshtëm, ishin shtruar ca batanije pambuku ngjyra-ngjyra. Në shtyllën e qoshes ishte lidhur me tel një "kollimkë" e ndezur, domethënë një llampë e bërë me dorë që digjte avuj benzine. Në kapakun e një kutie konservash nguleshin dhe saldoheshin tre-katër tuba të hapur bakri, ja kjo ishte dhe e gjithë pajisja. Për të ndezur një llampë të tillë, në kapak vendoseshin disa kongjij të ndezur, benzina nxehej, avulli ngjitej lart nëpër tuba dhe gazi i benzinës merrte flakë porsa t'i vihej një fije shkrepse.

Sipër batanijeve ishte një jastëk i fëlliqur, i mbushur me pupla, dhe në të dy anët e tij, duke i mbledhur këmbët sipas mënyrës burjate, kishin zënë vend "partnerët". Kjo ishte poza klasike e betejës me letra bixhozi në burg. Sipër jastëkut ishte një tufë me letra të reja. Këto nuk ishin letra të zakonshme të fabrikës, ato ishin letra të bëra me dorë nga mjeshtërit e këtyre punëve me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Për përgatitjen e tyre duhej letër (çfarëdo libri), një copë bukë (që mbllaçitej dhe shtrydhej nëpërmjet një lecke për të nxjerrë niseshten, e cila duhej për ngjitjen e letrave), një copë lapsi kopjativ (në vend të bojës tipografike) dhe një thikë (për prerjen e kallëpeve dhe të vetë letrave).

Letrat e sotme porsa ishin përgatitur nga një vëllim i Viktor Hygosë, libër që dikush e kishte harruar mbrëmë në zyrë. Letra ishte e trashë, e plotë, kështu që fletët nuk ishte nevoja të ngjiteshin, gjë që bëhet kur letra është e hollë. Gjatë kontrolleve që bëheshin në kamp lapsat kopjativë mblidheshin patjetër. Ata konfiskoheshin edhe kur kontrolloheshin pakot. Kjo bëhej jo vetëm për "parandalimin" e mundësisë së fallsifikimit të dokumentave dhe të vulave (piktorë të tillë kishte plot), por edhe për të mënjanuar çdo mundësi rivalizimi me monopolin shtetëror mbi prodhimin e letrave të bixhozit. Me lapësat kopjativë prodhonin bojëra dhe me këto bojëra nëpërmjet një kallëpi letre të përgatitur posaçërisht formonin vizatimet në letrat e bixhozit, dama, fante, dhjetëshe të të gjitha llojeve. Figurat dhe numrat nuk dalloheshin për nga ngjyra, pastaj lojtarët as që kanë nevojë t'i dallojnë ato për nga ngjyra. Kështu, për shëmbull, për fantin spathi vizatohej shenja përkatëse në të dy cepat e kundërt të letrës. Vendosja dhe forma e vizatimeve ka qenë për shekuj me radhë e njëllojtë, ndërsa aftësia për t'i bërë vetë letrat futet në programin e edukimit "kalorsiak" të xhepashit.

Tufa e letrave të reja ishte mbi jastëk dhe një nga lojtarët përplasi sipër saj dorën e fëlliqur me gishtërinjtë e hollë, të bardhë, që nuk ishin mësuar me punë. Thoi i gishtit të vogël kishte një gjatësi jo të natyrshme, që ishte gjithashtu një "shik" i xhepashëve, po ashtu sikundër ishin edhe "fikset", arturinat, domethënë kurorat prej bronzi që vendoseshin sipër dhëmbëve plotësisht të shëndetshëm. Kishte madje edhe mjeshtra, të vetëquajtur mjeshtra për proteza dhëmbësh, të cilët fitonin jo pak nga përgatitja e të këtilla kurorave që kërkoheshin gjithnjë e më shumë. Përsa u përket thonjve, lyerja e tyre me manikyr do të ishte bërë zakon në "botën e krimit", sikur të kishte mundësi të gjendej manikyri në kushtet e burgut. Thoi i verdhë dhe i lëmuar shndriste si të ishte ndonjë gur i çmuar. Me dorën e majtë i zoti i thoit lëmonte flokët e verdhë, të fëlliqur dhe ngjitës. Ai ishte qethur "boks" me kujdesin më të madh. Balli i ulët, pa asnjë rrudhë, shtëllungat e verdha të vetullave, goja e gjerë si çorape i jepnin pamjes së tij atë veçori të rëndësishme për pamjen e jashtme të një vjedhësi, siç është të mos rënit në sy. Fytyrën e kishte të tillë që ishte e pamundur ta mbaje mend. Sa ta shikoje e harroje, nuk mbaje mend dot asnjë tipar dhe as që mund ta njihje po ta takoje përsëri. Ky ishte Sevoçka, mjeshtri i njohur i "tercit", "stosit" dhe "burit (1) _ tre lojrave klasike me letra, interpretues i frymëzuar i mijëra rregullave të bixhozit, respektimi i rreptë i të cilave është i detyrueshëm në një betejë të vërtetë. Për Sevoçkën thoshnin se ai "luan me mjeshtëri", domethënë tregon aftësitë dhe shkathtësitë e një batakçiu. Natyrisht, ai ishte edhe batakçi, sepse tek e fundit një lojë e ndershme midis vjedhësish është një lojë e bazuar mbi mashtrimin: ndiq me vëmendje dhe zbulo hiletë e partnerit se kjo është e drejta jote, por tregohu i shkathët edhe për të mashtruar vetë ose për të "mbrojtur" një fitore të dyshimtë.

Zakonisht luanin dy vetë, një me një. Asnjëri nga mjeshtrit nuk e ulte veten duke marrë pjesë në lojrat në grup, si për shembull në "xing". Nuk kishin aspak frikë të uleshin për të luajtur me "lojtarët" e zotë, sikundër në shah, ku një luftëtar i vërtetë kërkon të ndeshet me kundërshtarin më të fortë.

Partner i Sevoçkës ishte vetë Naumovi, brigadieri i kujdestarëve të kuajve. Ai ishte më i madh në moshë se kundërshtari (mor po sa vjeç ishte vallë ky Sevoçka? Njëzet? Tridhjetë? Dyzetë?), flokëzi, me një shprehje kaq të përvuajtur të syve të zinj, të futur brenda, sa që sikur të mos e dija se Naumovi ishte një xhepash i trenave nga Kubani, do ta merrja për ndonjë murg - shtegtar apo anëtar të sektit të dëgjuar "Një zot e di", një sekt që ka nja dhjetë vjet që haset nëpër kampet tona. Kjo përshtypje thellohej kur shihje kordonin me kryqin prej kallaji që rrinte varur në qafën e Naumovit. Jakën e këmishës e kishte të zbërthyer. Ky kryq nuk ishte aspak një trill, improvizim apo dëshirë për të blasfemuar. Në atë kohë të gjithë vjedhësit mbanin në qafë kryqe prej alumini, që shërbenin si shenjë dalluese e urdhërit të tyre, si një farë tatuazhi.

Në vitet njëzet vjedhësit mbanin në kokë kasketa të shkollës teknike, kurse më parë mbanin "kapitanka". Në vitet dyzet ata mbanin "kubankat", përthyenin qafat e çizmeve prej leshi, kurse në qafë mbanin varur nga një kryq. Kryqi zakonisht ishte i lëmuar, por në rast se kishte piktorë, i detyronin t'u bënin me gjilpërë mbi kryq qëndima për tema të preferuara: një zemër, një letër bixhozi, një kryq, një grua lakuriq... Kryqi i Naumovit ishte i lëmuar. Ai rrinte varur në gjoksin e zi dhe lakuriq të Naumovit, duke penguar leximin e një tatuazhi ngjyrë blu, që ishte një citat i Eseninit, i vetmi poet që ishte i pranuar dhe i kanonizuar nga "bota e krimit":

Sa pak rrugë kemi shkelur,

Sa shumë gabime kemi bërë.

- Me çfarë do luash? - Mezi shqiptoi përmes dhëmbëve Sevoçka me një përbuzje të pafund.Edhe ky konsiderohej si një fillim i mirë loje.

- Ja, këto leckat. Këtë zhelen... - dhe Naumovi i ra vetes në supe.

- Për pesëqind po e luaj, - e vlerësoi kostumin Sevoçka.

Në vend të përgjigjes u dëgjuan shumë fjalë sharjeje me zë të lartë, që duhej ta bindnin kundërshtarin se plaçka kushtonte shumë më tepër. Spektatorët, që kishin rrethuar lojtarët, po prisnin me durim fundin e kësaj uverture tradicionale. Sevoçka nuk mbeti prapa dhe shante më ndyrazi, duke dashur të ulte çmimin. Më në fund kostumi u vlerësua me një mijë.

Sevoçka nga ana e tij vuri në "lojë" disa xhupa të përdorur. Pasi xhupat u vlerësuan dhe u hodhën menjëherë sipër batanijes, Sevoçka ndau letrat...

Unë dhe Garkunovi, një ish inxhinjer tekstilesh, sharronim dru për barakën e Naumovit. Kjo ishte punë nate. Pas ditës sonë të punës në galeri na duhej të sharronim dhe të çanim dru për njëzet e katër orë. Vinim tek kujdestarët e kuajve menjëherë pas darkës, këtu ishte më ngrohtë se në barakën tonë. Pas punës dezhurni i Naumovit hidhte në gavetat tona "supë" të ftohtë, mbeturinat e të vetmes gjellë të përhershme, që në menynë e menxës quhej "borsh ukrainas", dhe na jepte nga një copë bukë. Ne uleshim në dysheme, në ndonjë qoshe, dhe hanim shpejt e shpejt atë që e kishim fituar me djersë. Hanim në errësirë të plotë, sepse "benzinkat" e barakës ndriçonin vendin e lojës, por, sipas vëzhgimeve të veteranëve të burgjeve, "luga e gjen vendin për në gojë pa u gabuar". Tani po shihnim lojën e Sevoçkës me Naumovin.

Naumovi e humbi "zhelen" e tij. Pantallonat dhe xhaketa ishin mbi batanije, afër Sevoçkës. Po luanin për jastëkun. Thoi i Sevoçkës vizatonte në ajër ca qëndisma të ndërlikuara. Letrat herë zhdukeshin në pëllëmbën e tij, herë shfaqeshin përsëri. Naumovi kishte mbetur në kanatjere, këmisha me jakë të shkurtër prej sateni kishte pësuar fatin e pantallonave. Një dorë e kujdesshme i hodhi krahëve një bluzë pa mëngë, por me një lëvizje energjike të supeve ai e hodhi në dysheme. Befas u bë heshtje. Sevoçka e kruante pa u ngutur jastëkun me thoin e tij.

-Po vë në lojë batanijen,- tha me zë të ngjirrur Naumovi

-Dyqind,- tha me një ton moskokëçarës Sevoçka.

-Një mijë, bushtër,- uluriti Naumovi.

-E pse?Kjo nuk është plaçkë! Kjo është "rreckë", "zhele", - tha Sevoçka.

- Vetëm për ty po e ngre në treqind.

Beteja vazhdonte. Sipas rregullave, beteja nuk mund të përfundonte përderisa partneri mund "të përgjigjej" akoma me ndonjë send.

- Do të luaj me valenkit!

- Nuk luaj me valenkit, - tha Sevoçka me një ton të prerë. - Nuk kam qejf të luaj me zhelet e shtetit.

Për disa rubla Naumovi humbi një peshqir ukrainas me gjela, një kuti cigaresh, mbi të cilën ishte vizatuar profili i Gogolit. Të gjitha i fitoi Sevoçka. Përmes lëkurës së errët të faqeve të Naumovit u duk një të kuq i dendur.

- Luajmë me borxh, - tha ai me një ton lutës.

- Posi jo, ore, dashke me borxh, - tha Sevoçka përnjëherësh dhe zgjati dorën prapa. Në çast në dorën e nderë u vendos një cigare mahorke e ndezur. Sevoçka e thithi fort dhe filloi të kollitej.

- Ç'më duhet mua të luaj me borxh me ty? Ne s'kemi për të udhëtuar, ku do t'i gjesh ti paratë? Si do ma lash borxhin? Apo mos do t'ua marrësh rojeve të shoqërimit?

Pranimi për të luajtur "me borxh" nuk ishte një lëshim i detyrueshëm sipas "ligjit", por Sevoçka nuk donte ta fyente Naumovin, nuk donte t'i hiqte shansin e fundit për të fituar ato që kishte humbur.

- Me njëqind, - tha ai me ngadalë. - Të jap një orë afat.

- Nëm letër. - Naumovi ndreqi kryqin dhe u ul. Ai rifitoi batanijen, jastëkun, pantallonat dhe përsëri i humbi të gjitha.

- Sikur të na zienit ca çifirkë, - tha Sevoçka, duke i futur plaçkat e fituara në një valixhe të madhe prej kartoni. Po pres.

- Zieni ca, djema, - tha Naumovi. Ishte fjala për një pije të çuditshme të veriut - një çaj i fortë, kur në një gotë jo fort të madhe me ujë të vluar hidhen pesëdhjetë e më shumë gram çaj. Pija është shumë e hidhur, pihet me gllenjka dhe shoqërohet me peshk të kripur. Ajo ta largon gjumin, prandaj dhe preferohet shumë nga vjedhësit dhe shoferët e veriut që bëjnë udhëtime të gjata. "Çifiri" duhet të veprojë në mënyrë shkatrrimtare mbi zemrën, por unë kam njohur çifiristë shumëvjeçarë, të cilët e durojnë atë pa u sëmurur asnjëherë. Sevoçka piu një gllënjkë nga gota që i servirën.

Naumovi rroku me vështrimin e tij të zi e të rëndë të gjithë ata që e rrethonin. Leshrat e kokës ishin gafëlluar. Vështrimi i tij arriti deri tek unë dhe u ndal. Një mendim i beftë shkrepi në trurin e Naumovit.

- Pa dil këtu.

Unë dola në dritë.

- Hiqe bluzën.

Ishte e qartë tashmë se si qëndronte puna dhe të gjithë po e ndiqnin me vëmendje këtë orvatje të Naumovit.

Nën bluzë unë kisha vetëm këmishën e trupit të burgut, gjimnastjorkën na e kishin dhënë dy vjet më parë dhe ajo ishte kalbur prej kohësh. U zhvesha.

- Pa dil ti, - tha Naumovi, duke shënuar me gisht Garkunovin.

Garkunovi hoqi bluzën. Fytyra iu zbardh. Nën këmishën e ndotur të trupit kishte veshur një triko leshi. Kjo ishte plaçka e fundit që kishte marrë nga e shoqja para se të nisej për në rrugën e gjatë, dhe unë e dija se si e ruante atë Garkunovi. E lante në banjë dhe e thante në trup, duke mos e lëshuar për asnjë minutë nga duart, sepse trikon do t'ia kishin vjedhur menjëherë shokët.

- Hiqe, - i tha Naumovi.

Sevoçka tundi gishtin në shenjë pëlqimi, rrobat e leshta vlerësoheshin shumë. Po t'ia jepte ndonjërit për ta larë, po t'i hiqte edhe morrat me avull të nxehtë, mund ta vishte edhe vetë, thurja ishte e bukur.

- Nuk e heq, - tha Garkunovi me zë të ngjirur. - Vetëm tok me lëkurën...

Iu vërsulën dhe e rrëzuan përtokë.

- Ai kafshon, - thirri dikush.

Nga dyshemeja u ngrit ngadalë Garkunovi, duke fshirë gjakun nga fytyra. Por në çast Sashka, dezhurni i Naumovit, po ai Sashkë që një orë më parë na hodhi "supë" si shpërblim që sharruam drutë, u përkul paksa dhe nxori diçka nga qafa e valenkit. Pastaj shtriu dorën nga ana e Garkunovit, dhe Garkunovi filloi të qante me ngashërim dhe të rrëzohej në ije.

- Po ju, nuk mund ta evitonit këtë, - bërtiti Sevoçka.

Në dritën e drithëruar të llampës me benzinë dukej se si po nxihej fytyra e Garkunovit.

Sashka hapi duart e të vrarit, shqeu këmishën e trupit dhe ia hoqi trikon e leshtë nga koka. Trikoja ishte e kuqe dhe gjaku mezi dukej në të. Sevoçka me kujdes, që të mos bënte pis gishtërinjtë, e palosi trikon dhe e futi në valixhen prej kartoni. Loja kishte përfunduar dhe unë mund të kthehesha. Tani më duhej të gjeja një ortak tjetër për të sharruar dru.

____________________________

l."terc" - lojë letrash, "stosi" ose "shtos" - lojë e vjetër letrash e oficerëve caristë, "bura" - lojë letrash e vjedhësve.

 

Back to Top

 


Varllam Shallamov — "Tregimet e Kollimës" —Përktheu Çezar Kurti.

Copyright©1990 by Translator.